Erion Çela 35 vjeç u vra gabimisht. Kështu deklaroi sot policia bazuar te dëshmitë e dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj. Atentati ndodhi në datë 4 janar të këtij viti në Don Bosko.
Si pasojë e të shtënave vdiq Erion Çela 35 vjeç dhe u plagosën Arben Dani 46 vjeç, Azbi Selimaj 19 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç (vëllai i viktimës) dhe Edmond Crroj 41 vjeç (daja i viktimës). 19-vjeçari Azbi Selimaj që mbeti i plagosur ishte kamerieri i lokalit.
Autorët erdhën me makinë nga Spitali i Traumës drejt lokalit në Don Bosko. Aty kthyen makinën dhe u pozicionuan përballë tavolinës ku ndodheshin vëllezërit Çela, daja i tyre dhe një tjetër person.
Ata nuk e fikën makinën dhe nga sedilja e pasme një person hapi zjarr me breshëri automatiku në drejtim të tavolinës ku ishin ulur personat në fjalë.
Vëllezërit kanë treguar se objektiv i atentatit të ndodhur më 4 janar 2022 në “Don Bosko” në Tiranë nuk ka qenë Erion Çela por një person tjetër.
Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, vëllezërit nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevi Zeneli, i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.
Grupi i vrasësve ishte kontraktuar nga Kasandër Noga, një emër mjaft i njohur i botës së krimit, i cili synonte të vriste hasmin e tij, Geron Hasanbelliun dhe nipërit e tij.