Partia Demokratike me raportin e Ministrisë së Brendshme italiane në dorë ka akuzuar se në Tiranë po pastrohen paratë e mafies. Akuza kryesore shkon për Erion Veliajn.
“Ndragheta dhe mafia shqiptare bashkëpunojnë për të pastruar 1.3 miliard euro në sektorin e ndërtimit”. Erion Veliaj, nismëtar i kontratës me kompanitë e Ndanghetës. SPAK nuk heton, por rri e vështron” deklaroi Balliu.
Shefi i Organizimit në PD flet edhe me kompani konkrete. “Në 2016 Kryebashkiaku Veliaj ftoi kompanitë e Flavio Tosit dhe të miqve të tij, të cilët merreshin me pastrimin e qytetit të Veronës në Tiranë dhe lidhi kontratë të njëjtë, më të njëjtët aktorë dhe me të njëjtat kompani pastrimi.
Kështu lindi Eco Tirana. Më pas Flavio Tosi dhe pronarët e kompanisë Amina dhe AGSM Holdings do të arrestoheshin për lidhje me organizatën kriminale Ndrangheta.
Pavarësisht arrestimit të pronarëve të kompanisë, në Tiranë nuk ndodhi asgjë. Veliaj si nismëtari i kontratës me kompanitë e Ndanghetës nuk u hetua kurrë.
Përsëri në Janar të 2018 antimafia italiane arrestoi 50 persona ku përfshiheshin politikanë, zyrtarë, biznesmenë, mes tyre disa shqiptarë” thotë ai.