Dy hulumtime që janë publikuar gjatë këtij viti tregojnë se banorët e Kosovës janë duke e humbur besimin tek Bashkimi Evropian. Ekspertët thonë se kjo nuk është aspak befasuese, duke marrë parasysh faktin që katër vjet pasi Kosova zyrtarisht ka përmbushur të gjitha kushtet vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave me zonën Shengen.
Sipas një hulumtimi të fundit 64% e të anketuarve në Kosovë besojnë se BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm. Sipas të njëjtës anketë, vetëm 42% kanë qëndrim pozitiv për BE-në. Në një kohë që 94% e të anketuarve thonë se janë të kënaqur me punën e NATO-s.
Cameron Mailhot, autor i hulumtimit me 1600 banorë të Kosovës, i cili është duke kryer studimet e doktoraturës në Universitetin Cornell në Nju Jork, thotë se mes shqiptarëve vihet re një ndjenjë se BE-ja ka pritje pro-serbe.
Përpos tij, edhe një hulumtim i Institutit Republikan Ndërkombëtar, i publikuar në fillim të këtij viti, tregon se për dallim nga viti 2020, kur 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022, kjo shifër ka rënë në 77%./VOA