Gjykatat turke dhanë gjithsej 27 vjet burg për 60 gazetarë muajin e kaluar, sipas Raportit të Lirisë së Shtypit të shtatorit 2022.
Sipas raportit, të shpallur nga Utku Çakırözer, një ligjvënës nga Partia Popullore Republikane (CHP) gjykata turke ka dënuar 60 gazetarë vetëm për muajin shtator për komentet ose mesazhet e tyre në mediat sociale
Raporti tha se presioni i policisë ndaj anëtarëve të shtypit është rritur dhe se dhjetëra gazetarë që ndiqnin protestat dhe ngjarjet e tjera në qytete të ndryshme në shtator u penguan të kryenin punën e tyre për shkak të përdorimit të forcës së tepruar nga ana e forcave të sigurisë.
Ai deklaroi në raportin e tij se lajmet rreth korrupsionit dhe skandaleve të ryshfetit që përfshinin zyrtarë qeveritarë dhe familjet e tyre ishin bllokuar dhe se qasja në disa faqe lajmesh që publikonin lajme të tilla ishte penguar.
“Shtatori ishte muaji më i errët i vitit për lirinë e shtypit,” tha Çakırözer.
“Gazetarët rrihen, burgosen dhe bllokohen në Turqi. Qeveria, e cila pritej të përmirësonte kushtet e punës së gazetarëve, po prezanton ligje të reja në parlamentin turk për të intensifikuar represionin dhe censurën. Ne nuk do të lejojmë që projektligje të tilla, të cilat do të rrisin më tej presionin ndaj shtypit, të kalojnë në parlament”, shtoi ai.