Partia Demokratike nëpërmjet deputetëve të saj në Komisionin e Reformës do të dorëzojë në Kuvend projektligjin që ka të bëjë me ndryshimet e ndarjes territoriale.
Gjithashtu bëhet me dije se së bashku me projektligjin do të jetë edhe materiali shoqërues dhe hartat me 94 bashki.
“PD nëpërmjet deputetëve të saj në Komisionin e Reformës territoriale, do të dorëzojnë në Kuvend projektligjin për ndryshimet e ndarjes territoriale së bashku me materialin shoqërues dhe hartat me 94 bashki”, thuhet në njoftimin e PD.
Në një mbledhje me të pranishëm vetëm deputetët që nuk janë rreshtuar me Berishën, anëtarët e Komisionit të Reformës Territoriale dhe ekspertët e PD kanë propozuar draftin për reformën territoriale.
Në draft propozohet ndarja e vendit në 6 rajone të mëdha, të cilat do të përbëhen në 92 bashki.
Sipas diskutimeve mësohet se disa nga bashkitë që shtohen janë si më poshtë: Bashkia Sukth; Bashkia Fushë-Krujë; Bashkia Farkë; Bashkia Ndroq.
Ndërkohë Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz.
Bashkia Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan.
Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.
Ndërkohë që nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.