Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), tha se dhjetëra persona janë vrarë nga forcat e sigurisë iraniane në qytetin Zahedan, në juglindje të vendit, teksa protestat në mbarë Iranin po vazhdojnë.
Në raportin e publikuar më 6 tetor, AI tha se forcat e sigurisë së Iranit jashtëligjshëm kanë vrarë të paktën 66 persona, përfshirë fëmijë.
Po ashtu, janë plagosur qindra të tjerë, të cilët janë qëlluar me plumba të vërtetë, teksa sipas kësaj organizate, policia iraniane po përdor edhe gaz lotsjellës dhe fishekë metalikë ndaj protestuesve. Vrasjet e demonstruesve ndodhën pasi policia shtypi protestat e mbajtura pas lutjeve të së premtes në Zahedan më 30 shtator.
Që atëherë, edhe 16 persona të tjerë janë vrarë në incidente të ndara në Zahedan, teksa protestat po vazhdojnë pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe. Ajo vdiq në paraburgim, pasi ishte arrestuar për shkak të shkeljes së rregullave të hixhabit.
“Autoritetet iraniane vazhdimisht kanë treguar mospërfillje të plotë për jetën e njerëzve dhe nuk i ndal asgjë kur bëhet fjalë për ruajtjen e pushtetit”, tha sekretarja e Përgjithshme e AI-së, Agnes Callamard, në raportin e publikuar.