Komisioni i Ligjeve në mbledhjen e sotme me votat e PS-së pranoi duke miratuar draftin e kërkuar nga kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt për hapjen e dosjeve.
Drafti i deputetit të PD-së kërkon de-klasifikimin e dosjeve që lidhen me ish Sigurimin e Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944-8 dhjetor 1991. Dosjet nuk do të hapen vetëm në një rast; kur cenohet siguria kombëtare. Këtë e përcakton Autoriteti i Dosjeve.
Ky ndryshim do të kalojë më pas në Kuvend me gjithë draftin e PS-së për shfuqizimin e komisionit Mezini-Bezhani për certifikatat e sigurisë. Fokusi i socialistëve është ish-presidenti Ilir Meta, për të cilin Autoriteti i Dosjeve tha se ka gjetur dokumente që sipas tyre “ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit”.
Gjithashtu sot komisioni miratoi edhe një ndryshim në emrin e institucionit që ka në dorë informacionin e klasifikuar. Nga DSIK, tashmë do të quhet AKSIK, Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.