Kryetari i PD-së, Sali Berisha komentoi akuzat për procesin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të FRPD-së, Besart Xhaferi. Ish-kryeministri e pranoi se gara nuk ishte e përsosur, por e cilësoi të paparë.
“Gara ishte e paparë. Gjashtë të rinj kandiduan. Asnjë prej tyre me kërkesë nga sipër. Secili me dëshirën e tij.
Gara ishte më pluralja që ka ndodhur ndonjëherë dhe zero ndërhyrje nga kryetari apo kryesia. A ishte e përsosur? Jo. Kishte ankesa. Të gjitha do të shqyrtohen. Por ata e pasuruan procesin e rithemelimit të PD-së” tha ai.
Flamurin e denoncimit të garës brenda FRPD-së e udhëheq Evi Kokalari. Denoncimet e simpatizantes së PD-së nga SHBA kanë qenë të shumta, sipas saj me prova dhe fakte të falsifikimit për të nxjerrë kryetar Xhaferrin.