Sot gjatë ditës në Prishtinë është duke u mbajtur Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor.
Në këtë seminar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova është radhitur në krah të shteteve demokratike duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë.
Ai tha se vendi ynë është i vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë dhe anëtarësim në NATO. Ai po ashtu u shpreh se shqiptarët e Kosovën e dinë se në çfarë po kalon populli ukrainas pasi e kanë përjetuar në lëkurën e tyre pasi janë sulmuar nga Serbia para më shumë se dy dekadash.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është shumë e qartë në objektivat e saj e që është anëtarësimi në NATO.
Ajo ka kërkuar mbështetje nga të gjitha vendet në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e programit të Partnerit për Paqe. Sipas Osmanit, ndryshe nga Serbia, Kosova është e përkushtuar për rrugën evropiane dhe demokratike.
Osmani u shpreh se aktualisht po kërcënohet stabiliteti, demokracia dhe paqja në mbarë botën ndërsa në vijimësi ka sulme të sofistikuara hibride. Ajo ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në qendër të vëmendjes nëpër zhvillimet që po kalon bota.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, tha se synim i të gjithëve është promovimi i një të ardhme paqësore dhe demokratike për Ballkanin perëndimorë, ai shtoi se organizimi i këtij seminari në Kosovë tregon zotimin dhe përkushtimin e Kosovës drejt përmirësim të sigurisë.
Përmes një video mesazhi, presidenti i AP-së së NATO-së, Gerald E. Connolly, tha që ky seminar është shumë i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike dhe sigurinë në përgjithësi./EO