Kreu i PD-së Sali Berisha mori pjesë sot në konferencat “Gratë kandidate dhe fituese” dhe “Skuadra fituese e një fushate të suksesshme” për drejtues lokalë të qytetit të Tiranes.
Berisha deklaroi se kemi një qeveri të bazuar në skandale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ktheu modelin tipik të Enver Hoxhës për zgjedhjet në PS.
Ai tha se si asnjëherë në këto 30 vite, dora e qeverisë u shtri mbi opozitën dhe te shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita si të thuash i bën fresk atij.
Sipas Berishës, PD ka vendosur votën dhe vullnetin e anëtarëve tanë si përcaktuese për drejtuesit lokalë dhe qendror të PD-së.
‘Sot PS nuk voton më për asnjë të zgjedhur të saj. Më së fundi Edi Rama hoqi votën për kryetarët e degëve të PS-së dhe ktheu modelin tipik të Enver Hoxhës. Këto qëndrime ndaj votës ndikuan në partinë tonë. Besoj se ne së bashku vendosmë një standard të ri këtë vit, duke votuar. Ne kemi votuar këtë vit sa asnjë parti tjetër dhe më shumë se kurrë në historinë tonë. Kemi bërë mirë, ne jemi paraqitur në këtë kontekst një parti e ndryshuar. Ne vendosëm primaret, për zgjedhjen e qeveritarëve vendorë, në standardet më të mira. Ata do zgjidhen nga anëtarët dhe mbështetësit tanë dhe i japim fund kryetarokracisë. Kjo si një rrugë e sigurt për të shmangur autokracinë në parti dhe në vend në të ardhmen”, deklaroi Berisha.