Ministri i Punëve të Jasthme të Austrisë, Alexander Schallenberg, në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka shprehur optimizmin e tij për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sipas tij lëvizja e kosovarëve pa viza në zonën Schengen do të ndodhë shumë shpejtë.
Austria sipas Schallenberg ka mbështetur Kosovën në të gjitha etapat e shtetendërtimit të saj.
“Brukseli po diskuton statusin e vendit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është e pakuptueshme pse ka zgjatur aq shumë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Të gjitha shtete e Ballkanit i takojnë BE-së. Unë shpresoj se për një kohë të shkurtër të ndodh liberalizmi i vizave për Kosovën”, ka thënë Schallenberg.
Republika Çeke, e cila aktualisht ka kryesimin e Bashkimit Evropian, ka paralajmëruar se diskutimi në Këshillin e BE-së për këtë proces, do të nisë më 13 tetor.
Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018. Por, instanca e fundit është Këshilli i BE-së, apo vendet anëtare.