Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi sot se janë duke hetuar rastin e zhdukjes pa gjurmë të biznesmenit Ervis Martinaj. Ai theksoi se nuk kanë asgjë të re për momentin.
“Ne jemi duke punuar, strukturat po ndjekin rastin. Jemi në ecuri të procesit. Jemi në krye të detyrave të deleguara nga prokurori. Nuk kam për të deklaruar asgjë më tepër sesa kam deklaruar më parë” tha ai.
I pyetur rastin e hakerimit të të dhënave të policisë së shtetit pas sulmit të iranianëve, Rrumbullaku u shpreh se nuk është cenuar asnjë informacion i klasifikuar.
“Asnjë informacion i klasifikuar nuk ka dalë. Ne nuk kemi asnjë të ekspozuar. S’ka informacion, databaze dhe të dhëna të dala. Mund të them jo. Ekspertiza e marrë do të japë fjalën e fundit” tha ai.
Por si ka ndikuar dalja e të dhënave tek efektivët e policisë? “Nuk ka asnjë lloj frike, punonjësit nuk kanë presionin e askujt” deklaroi drejtori.