Kompanitë e punëdhënësit italianë po studiojnë një plan fleksibël organizativ për punonjësit që parashikon shkurtimin e javës së tyre të punës.
4 ditë në punë e 3 ditë në shtëpi, me të njëjtën pagesë, ky është propozimi i një prej kompanive më të madhe bankare italiane, për të përballuar këtë situatë të vështirë që po kalojnë sipërmarrjet e familjet italiane.
Banka Italiane Intesa San Paolo, është grupi kryesor bankar në Itali si për kuotat në bursën e Milanos ashtu dhe për numrin e qendrave të hapura në të gjithë territori, ka propozuar shkurtimin e ditëve të punës për punonjësit e saj si dhe zgjatjen me një orë të ditës së punës.
Konkretisht me një dokumentacion të analizuar në çdo detaj, ky grup bankar i ka kërkuar sindikatave italiane të pranojnë propozimin e tyre që parashikon 4 ditë punë në javë e jo 5 ditë siç është aktualisht e 9 orë punë në ditë e jo 8 orë. Praktikisht punonjësit nuk do të punojnë më 37 orë e gjysëm në javë, por 36 orë e me të njëjtën pagesë.
Për t’u aktivizuar, ky vendim ka nevojë për dritën jeshile të grupeve sindikaliste përfaqësues të bankierëve e punonjësve administrativ e teknikë të Banka Intesa, pasi prek normativat e Kontratës Kombëtare për Personelin.