Sulmet ruse me raketa mbi objektiva civile në Ukrainë, sipas shefit të shtatmadhorisë amerikane, janë krime lufte.
“Rusia ka goditur qëllimisht infrastrukturën civile me qëllim të dëmtimit të civilëve. Ata kanë shënjestruar të moshuarit, gratë dhe fëmijët e Ukrainës. Sulmet pa dallim dhe të qëllimshme ndaj objektivave civile janë një krim lufte në rregullat ndërkombëtare të luftës”, vlerësoi Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.
Bashkimi Evropian e akuzoi gjithashtu Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës pasi raketat ruse vranë të paktën 26 njerëz.
Rusia sulmoi me raketa mëngjesin e të hënës, duke goditur infrastrukturën civile si parqe, kryqëzime rrugësh të ngarkuara dhe termocentrale, jo objekte ushtarake.
“Është brutale. Është e pamoralshme”, tha presidenti Joe Biden.
“Këto janë krimet e fundit në një listë vërtetë të gjatë të krimeve të luftës që Rusia ka kryer në Ukrainë, duke mos harruar Buçan, periferinë e Kievit, ku pas largimit të rusëve, u gjetën shumë varreza masive në Ukrainën lindore”, thotë Robert Hamilton, kolonel në pension dhe një bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme.
Kërkesat urgjente të Ukrainës për armë dërguar udhëheqësve të NATO-s përfshijnë më shumë artileri të rëndë dhe më shumë armë të mbrojtjes ajrore. Gjermania ka dorëzuar sistemin e saj të parë të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.