Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot për herë të parë do të jetë temë diskutimi në takimin e Grupit Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Europian.
Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Europian, ka konfirmuar se për sot e ka vendosur për diskutim në rend dite temën e vizave të Kosovës.
Megjithatë, punimet që do të zhvillojë ky grup nuk do të jenë të qasshme për mediat. Kështu ka deklaruar një zyrtar për shtyp nga BE-ja .
“Punimet e organeve përgatitore të Këshillit nuk janë publike. Për më tepër, takimi i sotëm mbahet personalisht, jo në video-konferencë”.
Sidoqoftë, në Kosovë po pritet me zell lajmi mbi rezultatet që do të prodhojë ky takim i Grupit Punues.
Takimi bie në kohën që Komisioni Europian publikoi raportin për Kosovën ku përsërit se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave, derisa thotë se propozimi i këtij institucioni për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është ende pezull në Këshill.
Ndonëse Bashkimi Europian nuk ka dhënë afate kohore se kur mund të ndodhë ky proces, në Kosovë janë rritur pritjet meqë ka pasë deklarata të shuma nga zyrtarë të lartë të Unionit që thoshin se rekomandimi i KE-së duhet të përmbushet dhe të përfundojë mbajtja në izolim për qytetarët e Kosovës. Por, nga zyrtarë të BE-së pati po ashtu edhe deklarata të tilla që ka ende vende skeptike brenda bllokut sa i përket kësaj çështje./Gazeta Express