Antonio Kasano ka kaluar muajt e fundit duke kritikuar publikisht Interin dhe paraqitjet e zikaltërve. Por duket se ish-sulmuesi italian më në fund ka pëlqyer një paraqitje të skuadrës së dhe e ka lavdëruar publikisht.
Duke folur në rrjetet sociale, Kasano ka analizuar ndeshjen e skuadrës italiane ndaj Barcelonës duke vlerësuar maksimalisht lojën që ka bërë.
“Napolin e prisja, prisja më pak ndeshjen e madhe të Interit pasi nuk mendoja se do të shkonte atje dhe të bënte një ndeshje me kurajë dhe ide. Të luash në “Camp Nou” flakë për flakë është shumë e vështirë. E meritonin të fitonin. Kur Interi sulmonte, i bëri me dhimbje koke, ka bërë një ndeshje të madhe”, tha fillimisht ai.
Më pas ai u ndal edhe te episodi i shumëpërfolur i shtesës kur Asllani u gjend përballë Ter Shtegen.

“Në fund nëse Asllani e dërgonte topin në rrjetë bënin 4-3. Por është normale që aty të gjuajë dhe nuk është problem. Tani të gjithë po shfryjnë kundër djaloshit, jo, nuk duhet. U gjend aty dhe gjuajti. Amen. Interi me të vërtetë ka bërë një super ndeshje dhe nuk e mendoja. Mendoja se do të mbroheshin gjithë ndeshjen, por përkundrazi kishte kurajë. Më pëlqeu, me të vërtetë një ndeshje e madhe e Interit”, theksoi Kasano në fjalët e tij.