Presidenca Çeke e Këshillit Evropian, pas takimit të grupit punues, tha se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Në takimin e grupit punues të 13 tetorit, janë shtruar tri çështje kyçe: lidhja e liberalizimit të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, harmonizimi i sistemit kosovar të vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshja për riatdhesimin e qytetarëve. Zëvendëskryeministri Bislimi, tha se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, që të arrihet konsensus për të shtyrë përpara procesin. Mbledhja e ardhshme e grupit punues për viza, do të mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti.
Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, nga ana e saj, procesin e liberalizimit të vizave e vlerësoi si një hap shumë të rëndësishëm përpara. “Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, shkroi Gërvalla. Sipas saj, “Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”. “Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, shkroi ministrja e Jashtme.