Arabia Saudite i refuzoi si “të pabazuara në fakte” kritikat ndaj vendimit të marrë javën e kaluar nga grupi OPEC+ për të ulur nivelin e prodhimit të naftës, megjithë kundërshtitë e Shteteve të Bashkuara.
Arabia Saudite tha të enjten se kërkesa e Uashingtonit për ta shtyrë me një muaj uljen e prodhimit do të kishte patur pasoja negative ekonomike.
Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj duke thënë se u kishte paraqitur sauditëve një analizë ku tregohej se ulja e prodhimit të naftës mund të dëmtojë ekonominë botërore, si dhe aludoi se sauditët u kanë bërë presion edhe vendeve të tjera anëtare për ta votuar këtë vendim. Zyrtarë nga të dyja vendet pritet ta diskutojnë situatën së shpejti.
Shkëmbimet kanë krijuar një ftohje të marrëdhënies mes dy vendeve, të cilat kanë patur prej dekadash një aleancë të bazuar tek marrëdhënia “energji në këmbim të sigurisë”.
OPEC+, grupi i vendeve prodhuese që përfshin vendet e organizatës OPEC dhe Rusinë, njoftoi javën e kaluar se do të shkurtojë me 2 milionë fuçi në ditë nivelin e prodhimit, pas disa javësh lobimi nga zyrtarët amerikanë kundër një vendimi të tillë.
Vendimi u mor megjithëse tregjet e karburantit vazhdojnë të jenë të tkurrura, me rezervat në vendet me ekonomitë kryesore që gjenden në nivele edhe më të ulëta se gjatë periudhave të mëparshme kur OPEC-u ka ulur prodhimin.