Dje dështoi operacioni i fundit për arrestimin e Talo Çelës. Policia shkoi në Cërrik dhe arrestoi dy persona duke zbuluar një bazë armatimi, miliona lekë dhe drogë. Por i shumëkërkuari u iku sërish nga duart.
U arrestua Aqif Bezati. Në pranga përfundoi dhe Veli Deliu 54 vjeç, mik i 60-vjeçarit, që gjithashtu iu gjetën armë e municione në banesë.
Ishte pikërisht Aqif Bezati që u mbajt në vëzhgim nga blutë e Elbasanit, të cilët gjatë hetimit kanë mësuar se 60-vjeçari në banesë mbante sende të jashtëligjshme.
Bezati është lidhje shoqërore e Talo Çelës, person ky i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Nuk përjashtohet që operacioni të jetë dekonspiruar nga brenda. Nuk është gjë e çuditshme për policinë shqiptare.
Në muajt e fundit ka ndodhur disa herë. Talo Çela është një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare pas dëshmisë së Nuredin Dumanit për vrasjet me pagesë.