Në Kosovë, ku energjia elektrike është burim kryesor për ngrohje, autoritetet kanë paralajmëruar se dimri i këtij viti do të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm dhe çmimeve të larta të importeve.
Sipas përllogaritjeve mesatare pritet që shpenzimi i energjisë elektrike gjatë dimrit të jetë 4.12 milion megavat orë, derisa prodhimi do të jetë 3.2 milion megavat orë, që i bie se vendit do t’i duhen edhe 722.8 mijë megavat orë energji elektrike nga importi.
Në përpjekje për të përballuar këtë krizë, ministria e Ekonomisë në Kosovë ka paraqitur një plan për mbështetjen financiare të qytetarëve për blerjen e pajisjeve për ngrohje që shpenzojnë më pak.
Mundësia për të përfituar subvencione nga qeveria, ka rritur kërkesën për pajisje të tilla të ngrohjes, thotë Besfort Jakupaj, drejtues i një kompanie që tregton pajisje të tilla. Ekspertë të sistemit energjetik thonë se masat e qeverisë janë të dobishme por të pamjaftueshme për të përballuar situatën e krijuar. Aktualisht në Kosovë 95 për qind e energjisë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra dhe vetëm pesë për qind nga burimet e ripërtërishme si dielli, era apo uji./VOA