Në Shqipëri sot është dita e parë e vitit të ri akademik, por pedagogët e universiteteve publike protestuan, duke braktisur procesin mësimor.
Pasi mikpritën studentët e rinj në mëngjes, pedagogët u mblodhën para fakulteteve, për të kërkuar plotësimin e 9 pikave të peticionit të tyre, drejtuar qeverisë.
Në qendër të kërkesave është rritja 50 për qind e pagave bazë për pedagogët dhe stafet ndihmëse.
Ministria e arsimit i deklaroi sot “Zërit të Amerikës” se mbetet e hapur për dialog mbi kërkesat e sindikatave të pedagogëve, si dhe çështje që lidhen me kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë.
Profesorët e universiteteve publike nisën sot protestën e paralajmëruar, pasi qeveria sipas tyre, nuk u ka plotësuar kërkesat e shpallura prej një kohe të gjatë.
Ata pohojnë se janë të demoralizuar prej trajtimit financiar minimal e të pamjaftueshëm, me leksione që paguhen 4-7 euro.
Profesorët pohuan se janë të vendosur që ta vazhdojnë me kërkesat e tyre të përsëritura në vite, që i vlerësojnë minimale për të kthyer në vend dinjitetin e pedagogëve, që janë paguar në nivele të ulëta ndër vite, po ashtu si edhe stafet ndihmëse akademike.
“Kërkesat janë shumë të drejta edhe për pedagogët, edhe për stafin ndihmës akademik, edhe për administratën. Ne punojmë përditë bashkë dhe e dimë se sa shumë e nevojshme janë për të gjithë ne këto pika. Ato janë baza fillestare, jo një vlerësim maksimal për punën tonë. Ato janë baza për të motivuar pedagogët dhe stafet akademike dhe ndihmës akademike, që të përqëndrohen në punën e tyre dhe për t’i mbajtur këtu në universitete” – thotë pedagogia Valma Prifti e Universitetit të Tiranës.
Ministria e arsimit ka njoftuar së fundi rektoratet e universiteteve përmes një shkrese lidhur me rezultatet e bisedimeve me përfaqësuesit e pedagogëve më 23 shtator, mbi dakordimin lidhur me disa prej pikave të peticionit, që kanë të bëjnë me zbatimin periodik të ligjit.
Ende mbetet pa plotësuar kërkesa kryesore për një rritje 50 për qind të pagave bazë dhe shtim të fondeve për kërkim shkencor.
Pas interesimit të Zërit të Amerikës për një reagim në lidhje me protestën e pedagogëve, ministria e Arsimit dhe Sportit deklaroi se po vijon tani e në vazhdim dialogun intensiv dhe bashkëpunimin me të gjitha palët e interesuara dhe të përfshira në këtë proces, duke treguar vullnet të plotë për zgjidhjen e një sërë çështjesh që përfshijnë arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe kërkesat e paraqitura nga sindikatat e pedagogëve.
Në prononcimin për Zërin e Amerikës, ministria e arsimit theksoi se po vazhdon dialogun me rektorët e universiteteve, përmes Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, i cili mblidhet rregullisht për vendime dhe politika të rëndësishme.
Ministria shtoi se ka ngritur grupe pune të posaçme për çështje, që lidhen me ngarkesën e pedagogëve, kriteret për dhënien e titujve dhe gradave shkencore, etj.
Qeveria rriti më 5 tetor deri në 15% pagat e pedagogëve, 7 % nga të cilat mbulohen nga buxheti i shtetit qysh prej këtij muaji, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga vetë universitetet prej të ardhurave të secilit prej tyre.