-sidi education-spot_img
31.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Agim Baçi: Pasojat e “vetëshfajësimit historik”

Kryesoret

Sociologu polak Zygmunt Bauman, në librin e tij “Holokausti dhe moderniteti” shpreh shqetësim lidhur me atë çfarë ka ndodhur me holokaustin, të cilin bota moderne ka dashur ta shohë vetëm si një të shkuar, si një çast çmendurie, sikur i përket vetëm një segmenti shoqëror.

Por në fakt, a mund ta shohim të shkuarën tonë nën nazizëm, fashizëm dhe nën diktaturë vetëm si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një çast të historisë?
Në Shqipërinë e pas vitit 1990, nga dëshira për të vrapuar drejt asaj që na kish munguar në diktaturë, u praktikua ajo që Bauman e quan “vetëshfajsim historik”.

Në Shqipëri vetëshfajësimi historik u mbështet më së shumti përmes slloganene “ashtu ishte koha” apo “gjithkush nga ne mund të kishte gabuar” – qëndrime këto që çuan një pjesë të shoqërisë shqiptare deri në mosdashje për të dëgjuar çfarë kish ndodhur realisht gjatë diktaturës, duke e lënë të keqen të bredhë lirisht rreth nesh.

Si pasojë e këtij “vetëshfajsimi” u krijua, në jo pak raste, ideja sikur debati mbi të shkuarën është thjesht një çështje historie dhe se i përket studiuesve të historisë apo politologjisë.

Pasojat e kësaj sjellje “vetëshfajësuese” në Shqipëri i kanë vujatur jo vetëm ish të burgosurit politikë dhe ish pronarët, të cilët në shumë raste kanë mbetur ende viktima, pa rehabilitimin e duhur që shoqëria ua kish borxh.

Mjafton të shohim sjelljen e qeverive të pas vitit 1991 në Shqipëri, të mbështetura mbi slloganin “bashkëfajtor-bashkëvuajtës”, për të kuptuar se, përse disa vite më parë një sondazh i mbështetur nga OSBE solli shifra alarmante të nostalgjikëve të ish diktaturës.
Por, a jemi vonë ne për të debatuar për të shkuarën tonë, siç pretendon një pjesë e shoqërisë? Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentative e përhershme të së keqes, si në tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht.

E për aq kohë sa nuk e mendojmë si realitet i së shkuarës sonë, nuk do të mundet dot ta zbojmë, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare.
Ne, p.sh, si shoqëri, ende nuk kemi mundur të kthjejmë ndonjë përgjigje për pyetje si ato që ka shtruar për dekada politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon –Delsol, i cili në librin e tij “Idetë politike në shekullin e XX-të” pyet- cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish- komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?
Një lloj përgjigje e ka dhënë nobelisti polak Çesllav Milosh, në librin e tij “Mendja e robëruar” kur shprehej se, “është dëshira jonë e brendshme për të mos besuar se njeriu mund të arrijë në krime aq të tmerrshme”.

Ndërkaq, shkrimtari hebre, Filip David, në romanin e tij “Shtëpia e harresës dhe kujtesës”, shprehet se shpesh “fara e së keqes për një shoqëri fshihet pas harresës”, ose më saktë “pas absurditetit të harresës”. Ai shprehet se, “brezat tentojnë ta rishkruajnë historinë çdo 40 vjet, duke tentuar të mos kenë dëshmitarët e së shkuarës nëpër këmbë. Kështu humanizojnë të keqen në të shkuarën dhe kërkojnë të kontrollojnë të ardhmen”.
Sociologu polak Zygmunt Bauman, politologu Millon-Delsol, poeti dhe filozofi Çesllav Milosh apo kriminologu i madh norvegjez, Nils Christie, kanë ngritur si alarm për shoqëritë e sotme pasojat që do të kemi nga rutinizmii së keqes, nga burokratizimi i krimit dhe sidomos nga neutralizimi i qëndrimeve etike të shoqërisë ndaj së keqes.

Eshtë pikërisht heshtja ndaj këtyre fenomeneve, sipas tyre, që rrezikojnë çdo shoqëri. Madje, më në rrezik janë shoqëritë si e jona që nuk kemi guxuar të lexojmë të shkuarën kriminale nën diktaturë e që nuk kemi dashur ta shohim atë si një e keqe që fle mes nesh edhe pasi janë dokumentuar krimet e tmerrshme.
Deri më sot, shoqëria shqiptare ka jetuar me “krimet e askujt”. Për pasojë, sondazhi për nostalgjikët e diktaturës, për duartrokitjen ndaj të fortëve që bashkëpunojnë hapur me pushtetin, mund të jetë edhe më katastrofik nëse ish xhelatët, ish persekutorët, do të vijojnë të jenë pjesë e nderuar e historisë, apo nëse do vijojmë t’i studiojmë për “trimërinë dhe ndershmërinë e tyre në zbatimin e ligjit”!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit