Një numër i lartë pedagogësh, janë të pakënaqur me plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria, mes tyre edhe paga. Sot pedagogët kanë hyrë në ditën e 2-të të bojkotit.
Ende nuk dihet afati deri kur do të vazhdojë.
Pedagogët thanë se do të qëndrojnë jashtë Universitetit derisa qeveria të marrë vendim për rritje 30 përqind të pagës gjatë këtij viti dhe 20 përqind vitin tjetër.
Protesta e pedagogëve është shoqëruar me pasiguri tek 19.400 studentët e viteve të para.
Ku po zhvillohet bojkot?
Ndryshe nga sa kishin deklaruar rektorët dy ditë më parë, pedagogët protestuan edhe në rrethe. Konkretisht në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Durrës mësimi u bojktua për 2 orë.
Pedagogët e Universiteteve të Tiranës po bojkotojnë masivisht. Ndërkohë pedagogët e Universitetit në Vlorë kanë zgjedhur të mos bojkotojnë.
Sindikata e Pedagogëve
Kreu i Sindikatës, Sandër Kovaçi ditën e sotme deklaroi se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kushteve.
Njëkohësisht kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim me rektorët e universiteteve ku theksoi se nuk do të ketë rritje pagash.
“Sindikata deklaron vijimin e protestës, në formën e ndërprerjes së plotë të mësimit. Në orën 10 do të mblidhemi çdo ditë. I bëjmë thirrje kolegëve të na bashkohen. Misioni ynë vazhdon. Universitetet janë shembulli i shpresës, por kemi pagat më të ulëta në Evropë, dhe zhvillimet shkencore në gjendje të mjerueshme”, tha Kovaçi.
Cilat janë kërkesat?
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.