Shoqatat kulturore, fondacionet dhe organizatat joqeveritare që do të regjistrohen në Maqedoninë e Veriut nuk do të mund të mbajnë emra, pseudonime apo shkurtesa të personave që kanë çfarëdolloj lidhshmërie me jotolerancën racore, kombëtare, fetare, urrejtjen, gjenocidin, ekstremizmin, përhapjen ose mbështetjen e fashizmit, nazizmit dhe nacional socializmit.
Kështu thuhet në ndryshimet në Ligjin për regjistrimin e shoqatave kulturore e organizatave tjera, pasi zgjidhja aktuale nuk parashikonte kriteret e tilla, për të cilat tani ka konsensus mes të gjitha partive politike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshimet në këtë ligj u imponuan pas regjistrimit të dy shoqatave kulturore bullgare me emrin Vanço Mihajllovit në qytetin e Manastirit dhe Car Borisit në Ohër, që nxitën reagime të shumta, pasi bartësit e emrave të këtyre shoqatave njihen si bashkëpunëtorë të Gjermanisë Naziste dhe autorët kryesorë të masakrave e dëbimit të hebrenjve, por edhe të maqedonasve për shkak të kundërshtimit të ideve naziste.
Përveç këtyre dy shoqatave, në procedurë është regjistrimi edhe i një shoqate tjetër me emrin e Car Ferdinandit, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore ka sunduar me Bullgarinë dhe territorin e Maqedonisë së atëhershme./REL