Thirrjet që Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse përshkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, në të cilën shefja e Misionit të OKB-së, Caroline Ziadeh tha se përshkallëzimi i retorikës gjatë muajve të fundit rrezikoi përparimet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën për nxitje tensionesh. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç, tha se “veprimet e njëanshme të Prishtinës kanë thelluar ndarjet etnike”, duke vënë theksin tek vendimi i qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Ai akuzoi Kosovën për mospërmbushjen e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe për siç tha “sabotimin e përpjekjeve paqësore të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian”.
Prishtina tha ai “ka dy qëllime. I pari është të shmangë përmbushjen e detyrimeve dhe i dyti dhe më i rrezikshmi, frikësimi dhe ndjekja e serbëve”.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwartz tha se Kosova ngulë këmbë që Serbia t’u përmbahet marrëveshjeve që i ka nënshkruar përfshirë atë për lëvizjen e lirë dhe përdorimin e targave të makinave.
Ministrja Gërvalla tha se kërcënimet për paqen dhe qëndrueshmërinë bëhen nga Beogradi dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar destabilitet në fund të muajit kur edhe përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e targave të makinave./VOA