Policia e Shtetit ka reaguar duke mohuar lajmet që qarkulluan mbrëmjen e djeshme për një tjetër sulm kibernetik ndaj sistemeve, konkretisht TIMS-it. Drejtoria e policisë thekson se mbrëmjen e djeshme dhe në ditët në vijim do të ketë ndërhyrje nga vetë institucioni për përmirësimin e sistemit pas goditjeve të hakerave të sponsorizuar nga Irani.
“Në lidhje me disa lajme të publikuara mbrëmjen e djeshme, në disa media dhe portale, në të cilat është pretenduar se ka ndodhur përsëri sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS, sqarojmë opinionin publik se:
Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare.
Sqarojmë se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë impakt tek qytetarët, të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit” deklaron policia.