Kancelari gjerman Olaf Scholz u përball me kritika të enjten pasi një raportim i mediave e akuzoi atë se po inkurajonte investimet kineze në një port të Hamburgut, pavarësisht skepticizmit të madh që ekziston në qeverinë e tij mbi këtë çështje.
Gjigandi kinez i transportit “Cosco” do të marrë 35 për qind të aksioneve në një terminal kontejnerësh në Hamburg, në një marrëveshje të rënë dakord vitin e kaluar, por ende e pa autorizuar nga qeveria federale e Gjermanisë.
Mediat gjermane NDR dhe WDR raportuan të enjten se kancelaria po planifikon të miratojë marrëveshjen pavarësisht kundërshtimit nga gjashtë ministri të ndryshme në koalicionin e qeverisë Scholz me të Gjelbërit dhe FDP-në liberale.
“Kjo nuk është diçka e mirë për ekonominë tonë dhe as për sigurinë tonë,” tha bashkë-drejtuesi i partisë së Gjelbër, Omid Nouripour për portalin e lajmeve t-online.
Michael Kruse, kreu i FDP-së në Hamburg, e quajti projektin “të rrezikshëm”, ndërsa eksperti konservator i politikës së jashtme Juergen Hardt tha se ky projekt do t’i mundësonte Kinës të fitonte akses në “informacione të brendshme me rëndësi”.
“Kjo është pikërisht ajo që ne nuk duhet t’u shërbejmë kinezëve në një pjatë argjendi,” tha Hardt për gazetën Die Welt./REL