SPAK ka marrë të pandehur për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë Elona Gogon e cila ka qenë kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ajo është paraqitur dy ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme e shoqëruar nga avokati i saj Sokol Hazizaj ku është njohur me akuzën zyrtare dhe të gjitha aktet hetimore. Gogo akuzohet për “shkelej të barazisë në tendera”, shkruan Klan.
Në ditët në vijim pritet që të merret në pyetje sërish ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor dhe njëkohësisht ish-ministrja Sonila Qato. Ajo ishte thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme të enjten, por ka njoftuar se nuk mundet për shkak se ka probleme shëndetësore.
Për këtë arsye i është lënë data 26 Tetor për tu paraqitur në SPAK. Listës së të pandehurve ku rrezikon që të futet edhe Qato pritet që t’i shtohen edhe emra të tjerë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh për veprimet që kanë kryer. Hetimi për tenderin e 2019 nisi pas pretendimeve të njërës prej kompanive. KLSH në krahun tjetër dyshon se mund të ketë një dëm të shkaktuar deri në 5 mln euro.