Projektbuxheti i vitit 2023 parashikon gati 14 miliardë lekë (120 milionë euro) pagesa për koncesionet/PPP aktive me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Në krahasim me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 4%.
Pagesat për koncesionet pritet të rriten më 12% në 2024-n, duke arritur në rekordin e 15 miliardë lekëve.
Pavarësisht rritjes, pagesat për koncesionet pritet të respektojnë rregullin fiskal, sipas të cilit përqindja e pagesave të PBB-ve ndaj totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor të mos jenë më shumë se 5%.
Në periudhën afatmesme, këto pagesa nuk pritet të jenë më të larta se 3% e të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm.
Ne 2022-n mbaruan tre kontrata, ajo e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit (të dyja nën hetim nga SPAK) dhe rimbursimi i rrugëve për ndërtimin e HEC-it mbi lumin Devoll.
Ndërkohë, inceneratori i Tiranës do të vijojë të marrë pagesa nga buxheti, prej 1.27 miliardë lekë në 2023 dhe 1.36 miliardë lekë në 2023 dhe 2024, gjithsej gati 4 miliardë lekë (34 milionë euro) për periudhën 2023-2025.
Ndërtimi dhe operimi i rrugës së Arbrit merr dhe pjesën më të madhe të pagesave në 2023-n, me 3 miliardë lekë, ose 22% të totalit.
Koncesionet e shëndetësisë marrin në total 5.2 miliardë lekë, ose gati 40% të totalit në 2023-n. /Monitor