Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Kryeministri Kurti u ka dërguar ftesë edhe dy partive tjera opozitare për të diskutuar për këtë çështje – Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës – mirëpo ato nuk kanë pranuar.
Haradinaj ka thënë se takimi me Kurtin ka qenë përmbajtësor.
“E diskutuam procesin, e diskutuam vetë marrëveshjen, diskutuam për sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Mund të them se ishte takim me përmbajtje, sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale, Kosovë-Serbi”.
Ai ka thënë se finalizimi i këtij procesi duhet të bëhet me vulën e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja do të duhej të nënshkruhej në Uashington.
“Duhet ta ketë vulën e Amerikës, jo vetëm mbështetjen e Amerikës. Për të qenë ky proces në garanca të plota, duhet të nënshkruhet edhe nga niveli i njëjtë amerikan”, ka thënë Haradinaj./REL