-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Marrëveshja për Asociacionin: Çfarë është dhe çfarë mund të bëhet?

Kryesoret

Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

E nënshkruar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013, marrëveshja nuk ka arritur të zbatohet asnjëherë. Më 20 tetor, në mediat kosovare është publikuar një i ashtuquajtur draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, cila është Marrëveshja për Asociacionin, çfarë thuhet në atë marrëveshje dhe pse është bërë problematike? Çfarë parasheh drafti që po qarkullon dhe cilat janë reagimet ndaj tij?

Radio Evropa e Lirë ju sjell më poshtë përgjigjet në këto pyetje:

Çfarë nënkupton Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Ka qenë muaji prill i vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur Marrëveshjen e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në bazë të së cilës është paraparë edhe krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja është negociuar dhe arritur mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni do të krijohej me statut dhe do të themelohej mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës: do të kishte ketë kryetar, zëvendëskryetar, asamble dhe këshill.

Asociacioni parashikohej të mblidhte dhjetë komuna në Kosovë. Shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Kjo bashkësi e komunave do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural. Dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si do të delegoheshin nga autoritetet qendrore.

Në gusht të vitit 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni – marrëveshje kjo që nuk është zbatuar asnjëherë.

Vetëm dy muaj më vonë, përkatësisht në tetor të vitit 2015, marrëveshja është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo na sjell te pyetja tjetër:

Çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese për Asociacionin?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin, në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet siç ka qenë i paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës

Parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me Kushtetutën

Kushtetuesja, tutje, ka konstatuar se akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t’i plotësojnë standardet kushtetuese.

Pika më e diskutueshme, në fakt, është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet. Por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Çfarë thotë drafti i publikuar në media më 20 tetor?

Të enjten në mediat në Kosovë ka qarkulluar edhe një dokument. Ai është cilësuar si draft-statuti për Asociacionin e komunave serbe, i punuar nga ekspertë gjermanë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e tij.

Drafti i publikuar në disa media thotë se Asociacioni është “një entitet ligjor. I themeluar në linjë me Ligjin e ratifikimit të marrëveshjes së parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Sipas këtij dokumenti, statuti duhet të miratohet nga Qeveria e Kosovës me një akt ligjor, në linjë me Kushtetutën.

“Asociacioni do t’i ketë simbolet e veta zyrtare. Ato përfshijnë një stemë dhe një flamur, e që do të dizajnohen nga bordi i Asociacionit”, thuhet në draft-statut.

Asociacioni, sipas këtij dokumenti, mund të shpërbëhet me vendim të Asamblesë së vet, me një shumicë prej 2/3 të anëtarëve, siç vendoset nga kryetarët përkatës të komunave.

Në kapitullin e objektivave të Asociacionit përmenden: Forcimi i demokracisë lokale, zhvillimi i ekonomisë lokale, mbikëqyrja në fushën e edukimit, shëndetësisë primare dhe sekondare, planifikimi rural dhe urban, masa për përmirësimin e jetesës për të rikthyerit e të tjera.

Asociacioni i komunave serbe, sipas draft-statutit të publikuar në disa media, do të ketë gjashtë trupa përbërës kryesorë: asambleja, presidenti, zëvendëspresidenti, këshilli, bordi dhe zyra e apelit.

Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do ta ketë buxhetin e tij, që do të financohet nga: kontributi i anëtarëve, transferet nga autoritetet qendrore, kontributet, grantet, donacionet etj.

Në dokument thuhet se financat e Asociacionit u nënshtrohen auditimeve, përfshirë nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës. Neni i fundit i këtij draft-statuti thotë se brenda një viti pas adaptimit të statutit të Asociacionit, një rishikim i zbatimit të tij duhet të bëhet nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria mund ta ushtrojë në çdo kohë të drejtën e saj kushtetuese për t’i referuar çështjet te Gjykata Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e secilit aspekt të punës dhe funksionit të Asociacionit”, thuhet në draft-statutin e përmendur.

Gjykimet apo përfundimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij dokumenti, do të jenë obliguese për Asociacionin.

Cili është pozicioni i Kosovës dhe ai i Serbisë për Asociacionin?

Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik. Ndërsa Serbia këmbëngul që të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës ka ritheksuar qëndrimin se: “Asociacionet që karakter themeltar kanë etninë, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vetë karakterin e shtetit tonë”.

“Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot [20 tetor] në media, ai, përveçse draft, është pa autor. Ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje, të cilat i mbrojmë e respektojmë”, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, tha Osmani.

Në një konferencë për media, Osmani e ka cilësuar draft-statutin që ka qarkulluar në media, si “lajm të rremë”.

Serbia ka thënë se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit. Kjo, nëse Kosova nuk nis punën për themelimin e Asociacionit.

Më 20 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një vizite në Kosovë, ka thënë se “është koha” për ta formuar këtë asociacion.

Cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve për Asociacionin?

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë më 19 tetor se Asociacioni duhet të formohet.

Escobar ka thënë se Kosova mund ta kthejë çështjen e Asociacionit në një situatë “win-win”.

“Është një zotim që tashmë ekziston, është një zotim i rëndësishëm, i cili duhet të zbatohet. Por, gjëja e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Escobar.

BE ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet t‘i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog. Përfshirë edhe atë për Asociacionin. Kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e SHBA-së.

Presioni ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është rritur. Nga komuniteti ndërkombëtar kanë thënë se në Evropë ka modele të ndryshme. Modele, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në rastin e këtij asociacioni./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit