Komisioni i Sigurisë është përfshirë nga debatet e forta në mbledhjen e sotme ku raportoi drejtori i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku për sulmet kibernetike. Në fillim të mbledhjes, debati u fokusua te ngjarja e fundit, vdekja e të riut Lear Kurti. Opozita kërkoi shpjegime. Drejtori i policisë tha se për 48 orë është gati që të vijë të raportojë për ngjarjen e fundit.
Debati
Ferdinand Xhaferri: Kemi një polici që i merr jetën qytetarit dhe do të ishte e turpshme që të fillonim për sulmet kibernetike pa i kërkuar më parë drejtorit të japë shpjegime. Komiteti i Helsinkit tha se policia ka shkelur Kushtetutën.
Nasip Naço: Zoti Xhaferri ju lutem….
Ferdinand Xhaferri: Kemi një kryeministër që ka vrarë dëshirën për të luftuar krimin dhe ndjenjën e protestës. Nuk kemi polici të shtetit, por të pushtetit.
Xhemal Qefalia: Unë e kuptoj irritimin e kolegut Xhaferri. Ngjarja është shumë e rëndë dhe po merren organet kompetente. Keni durim, pse jeni kthyer që mezi prisni të ndodhin ngjarjet. Të dëgjojmë drejtorin për arsyet që e kemi thirrur dhe më pas kemi të drejtën për të ftuar këdo në komision. Në kohën që drejtonte zoti Ferdinand Xhaferri, apo partia e tij, shumë gjëra ndodhnin ndryshe. Keni durim se nuk duam ta politizojmë.
Muhamet Rrumbullaku: Për ruajtjen e dinjitetit të policisë dhe gjithë personelit, unë sot kam ardhur me një axhendë të përcaktuar. Përsa kërkohet nga grupi i deputetëve për ngjarjet e fundit jam gati të paraqitem për 48 orë dhe të jap shpjegime përsa kërkohet nga ana juaj. Edhe për Klodian Rashës si ish-drejtor i AMP jam gati të jap shpjegime. Jo çdo gjë që shpërndahet për opinionin nuk do të thotë se janë të vërteta. Ju lutem na respektoni mundin, djersën dhe gjakun që policia jep për shërbim.
Ervin Salianji: Ne i kemi dhënë mbështetje publike policisë dhe kemi kërkuar mbështetje më dinjitoze për rritjen e pagave, por kemi denoncuar dhe denoncojmë përfshirjen e drejtuesve të lartë, edhe të AMP-së (Ardi Veliu) në paligjshmëri dhe përfshirjen e manipulimeve kriminale. nëse do të ishte trajtuar me seriozitetin e duhur ngjarja e fundit dhe nuk do të kishte nxitime për manipulime të drejtorit të AMP-së, pa diskutim nuk do të ishim këtu. Këtu ka një shqetësim, policia që duhet t’i ruajë qytetarët të mos i vrasë. Të kapet me zë dhe figurë në manipulim të ngjarjes. Ju do të distancoheni, e ngrinin një qenie njerëzore si të ishte thes. Ju politikisht të vrisni ju.
Toni Gogu-opozitës: Rrini aty ku keni ndenjur për 10 vite do të rrini edhe 10 të tjera.
Vdekja e Lear Kurtit? Drejtori i policisë: Jam gati të përgjigjem në Kuvend