Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, tha se ka shpresa që deri në fund të vitit, Kosova të marrë përgjigje pozitive “sa i përket dinamizimit të procesit të liberalizimit të vizave”.
“Ajo që është thënë sot është se ky proces do të vazhdojë”, tha Abazi.
Këto deklarata Abazi i bëri pas takimit të anëtarëve të Komisionit me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guérot.
Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarët e Francës kushtëzuan procesin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS.
Abazi tha se në këtë takim, ambasadori francez shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, por shtoi se ka “disa shqetësime që duhet të adresohen”.
“Kemi argumentuar për atë se çfarë do të thotë për qytetarët e Kosovës që ky proces të mos ketë qartësinë e plotë. Kemi marrë përgjigje gjithashtu.
Është një klub i shteteve të BE-së që po bën negociata për të gjitha aspektet, përfshirë edhe ETIAS si sistem që jo domosdo e prek vetëm Kosovën, por e prek edhe Kosovën.
Sërish kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë qytetarët kosovarë presin nga ky proces”, tha Abazi.