Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë përshpejtuar rritjen gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave paraprake të Eurostat për periudhën janar- gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në BE nga shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, në raport me 2019-n, aplikimet mbeten 41% më të ulëta.
Shtetet me aplikimet më të larta mbeten Franca, me 46% të aplikimeve totale për 8-mujorin dhe Gjermania, me 12%. Dëshira e shqiptarëve është më e larta në Europë edhe në krahasim me Ukrainën që është në luftë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në gusht aplikimet për azil nga shqiptarët ishin gati 1100, ndërsa të Ukrainës në korrik (e dhëna e fundit e disponueshme) ishin 950. Për më tepër që Ukraina ka një popullsi prej 43 milionë banorësh, ndërsa Shqipëria ka zyrtarisht rreth 2.8 milionë banorë. /Monitor
