Akuzat e Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një “bombë me element radioaktivë” janë “tërësisht të rreme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Sekretari Stoltenberg foli të martën, gjatë një vizite në aeroplanmbajtësen U.S.S. George H.W. Bush e cila po merr pjesë në një stërvitje të NATO-s në Detin Adriatik.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se retorika bërthamore e presidentit rus Vladimir Putin është “e rrezikshme, e pamatur dhe e papërgjegjshme”.
“Përdorim i armës bërthamore në Ukrainë do të ndryshojë rrënjësisht natyrën e konfliktit. Presidenti Putin, Rusia, e di se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Dhe ata gjithashtu e dinë, se do të kishte pasoja të rënda”, tha zoti Stoltenberg.
Ai shtoi se aleatët e NATO-s e hedhin poshtë pretendimin e rremë të Rusisë, një vend që shpesh akuzon të tjerët për atë që synon të bëjë vetë.
“Ne e kemi parë këtë të ndodhë më parë, që nga Siria në Ukrainë. Rusia nuk duhet të përdorë pretekste të rreme për përshkallëzim të mëtejshëm. Bota po e ndjek situatën nga afër”, tha zoti Stoltenberg.
Shefi i NATO-s përshëndeti sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, duke thënë se ai po ndihmon ushtarakisht Rusinë./VOA