Një veturë në Leposaviq të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës.
Zëvënedësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën veturës.
“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshme për akterët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.
Djegia e veturës në fshatin Krajkovë të Leposaviqit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.
Ky incident vjen disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.
Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS./REL