Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Selanikun, një 41-vjeçar identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur është gjetur i vrarë.
Deri më tani autoritetet si të dyshuar kryesor të ngjarjes kanë babain. Banorët e lagjes Omirou janë të shokuar nga ngjarja dhe ata thonë se babë e bir kanë pasur zënka të shpeshta dhe kanë telefonuar disa herë policinë.
Sipas fqinjëve 41-vjeçari ka qenë përdorues droge dhe kjo mund të ketë qenë dhe arsyeja e konflikteve mes tyre. Ai u gjet i mbuluar me gjak ndërkohë që kishte shumë fraktura në kokë që dyshohet të jenë shkaktuar nga goditjet e forta me çekiç.
Banorët e pallatit janë shprehur të tronditur nga ngjarja, ndërsa një nga banoret rrëfen edhe momentin se si e mori vesh ngjarjen e rëndë.
“Më vjen keq për atë që ka ndodhur. Djali pinte drogë ndërsa bashkëshorti kohët e fundit kishte probleme shëndetësore. Ata jetonin në lagje prej vitesh. Djali i kërkonte vazhdimisht lekë për drogë. Ajo u kthye dje nga puna dhe gjeti burrin e saj pa ndjenja dhe djalin e tyre pranë tij të vdekur në një pellg me gjak”, tha fqinja, e cila është dhe mikeshë me nënën e viktimës.