Enti Rregullator i Energjisë njoftoi sot se në muajin Nëntor dhe Dhjetor të këtij viti, të gjithë konsumatorët që do harxhojnë më shumë se 800 kilovat/orë energji do ta paguajnë atë më shtrenjtë.
Por vendimin final, ashtu sikur ndodhi edhe në Tetor e merr qeveria. Pavarësisht deklaratës së ERE-s, që reflekton çmimin e tregut, për dy muajt e fundit duket se nuk do të ketë rritje. Arsyeja?
Ndihma prej 80 mln eurove që Brukseli njoftoi dje për Shqipërinë, por edhe fakti që Edi Rama konfirmoi po dje që ka një reflektim për të kursyer energjinë duket se do të bëjë që dy muajt e fundit të vitit energjia elektrike të mos rritet për familjet që konsumojnë mbi fashën 800 kilovat.
“Për të gjithë konsumatorët familjarë që furnizohen nga Shërbimi Universal (FSHU sh.a.). ERE ka detyrimin të reflektojë çmimet e energjisë së konsumatorëve fundorë të shërbimit universal, kostot e furnizimit sipas kostove të burimit të sigurimit të energjisë.
Vendimi i Bordit të ERE-s nr. 242 datë 23.09.2022, i ndryshuar me vendimin e Bordit nr.254 datë 07.10.2022, qëndron në fuqi për muajt nëntor – dhjetor 2022, dhe këto çmime mbeten të aplikueshme, ashtu si përcaktuar në vendim, për periudhën 1 nëntor 2022 – 31 dhjetor 2022.
Siç theksuar dhe më parë nga vendimmarrja e ERE-s, çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 KË, do të mbetet objekt rishikimi periodik, bazuar në kërkesën FSHU sh.a., vendimet e Asamblesë së KESH sha, si dhe vlerësimet e ERE-s, nëpërmjet të cilave do të vlerësohen ndryshimet në çmimin e shitjes se energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të shërbimit universal”, thuhet në deklaratën e ERE.