Ilir Meta është rikonfirmuar në krye të Partisë së Lirisë.
Kjo pas votimeve të zhvilluara këtë të shtunë të 29 tetorit, ku Meta mori 719 vota nga delegatët që morën pjesë në Konventën e Partisë së Lirisë.
Gjithashtu partia e Lirisë zgjodhi dhe strukturat drejtuese të saj.
Ndërkohë, Meta gjatë ditës së sotme shpalosi pikat e para të programit politik të kësaj force politike.
“Koha është tani për një marrëveshje sociale për të ndalur shpopullimin. Koha është tani për një ‘marrëveshje të re sociale dhe patriotike’, për të ndalur shpopullimin dhe emigracionin masiv të të rinjve tanë”, u shpreh fillimisht ish-presidenti.
Sipas tij, koha nuk pret më dhe opozita – përfshirë PL-në – duhet t’i japë fund “regjimit”.
Gjatë shterimit të platformës, Meta sugjeroi se sundimi i ligjit do të garantohet: nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetueshmëria, e institucioneve të forta dhe të pavarura, nga llogaridhënia dhe ndëshkueshmëria, nga mirëqeverisja dhe meritokracia, nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe nga punësimi me paga dinjitoze.
“Shqipëria do t’i përkasë të rinjve…sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt. Është kjo bindje e palëkundur, që duhet të mbajë gjallë frymën dhe kauzën madhore të Partisë së Lirisë dhe Opozitës së Bashkuar”, shtoi ish-kreu i shtetit.
Gjatë konventës pritet të shpaloset edhe strategjia, zgjedhjet, aksioni dhe ekipi i ri drejtues i kësaj force politike.