Nuk ka për të pasur ndryshime në reformën territoriale. 61 bashki do të mbesin pa shtuar asnjë tjetër. PS ka vendosur që të mos pranojë asnjë prej propozimeve të PD-së, që kërkon 33 bashki të reja.
Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj pranoi se PD bëri dy gabime me bojkotin e komisionit të ndarjes territoriale në 2014 dhe bojkotin e zgjedhjeve të 2019. Megjithatë, ai tha se me faktin që PS nuk pranon shtimin e bashkive po vjedh zgjedhjet e 2023 në tavolinë.
“Pjesë të fajit e kemi edhe ne kur nuk morëm pjesë në 2014, por ju i kishit votat që e bëtë, por nuk morët legjitimitetin. Nuk po themi se gjithçka nuk ka funksionuar. Jo! Korrigjim kemi kërkuar, se kështu ecën përpara kjo dynja, me evolucion dhe jo revolucion.
Ia morët frytet në 2019, ia korrët frytet edhe më tej në 2019. E pranoj edhe me gabimin tonë. Me këtë vendim po vidhni në tavolinë edhe zgjedhjet e 2023” tha ai.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi duke iu përgjigjur Alibeajt që foli për “autogol”, tha se “ky ishte “goli” më i bukur i PS-së”.
“Në lidhje me autogol, pa diskutim si ministër mendoj që reforma territoriale ka qenë goli më i bukur i kësaj maxhorance në qeverisjen e parë.
Unë këtu thasë që parlamenti në një moment të caktuar e merr një reformë për të parë se çfarë është bërë, kjo është gjëja më normale. Unë fola përpara parlamentit, por jo në ministrinë time” tha ai.