Forcat ajrore të Ukrainës kanë bërë apel për ofrimin e përshpejtuar të mbrojtjes ajrore moderne nga partnerët perëndimorë.
Duke folur në televizionin ukrainas, Yurii Ihnat, zëdhënës i Komandës së Forcave Ajrore, tha: “Ne kemi nevojë për mbrojtje ajrore. Ato sisteme që kemi përmendur tashmë, IRIS-T [e prodhuar në Gjermani], ne kemi nevojë për më shumë prej tyre.”
Deri më tani Gjermania e ka furnizuar Ukrainën me një IRIS-T.
“Ky sistem funksionon dhe funksionoi sot, dhe funksionoi me një rezultat 100%,” tha Ihnat. “Dhe ne duam që gjermanët të rrisin prodhimin.”
Ihnat përmendi gjithashtu sistemin NASAMS të prodhuar nga SHBA, e cila do të dërgohet në Ukrainë.
Ai tha gjithashtu se Ukraina kishte nevojë për më shumë sisteme të vjetra si raketa tokë-ajër HAWK e prodhuar nga SHBA.
Spanja tha në fillim të këtij muaji se do t’i sigurojë Ukrainës disa nga sistemet e saj HAWK.