Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo nga selia e PD-së deklaroi sot se raporti i EUROSTAT-it nxori zbuluar mashtrimin e kryeministrit Edi Rama me energjinë, që sipas tij është më e shtrenjta në rajon. Ai ftoi të gjithë qytetarët që më 12 nëntor të bashkohen në protestë për t’i thënë “ndaj marrëzisë së qeverisë”.
“Statistikat e EUROSTAT nuk marrin parasysh rritjen me më shumë se 4‒fish të çmimit të energjisë elektrike për familjarët që tejkalojnë fashën 800 këh në muaj.
Me këtë shtesë, Shqipëria do të mbetet vendi me energji më të shtrenjtë në rajon. Kjo është absurde duke ditur dy fakte: se ne nuk kemi asnjë varësi nga gazi rus;
se ne mund të plotësojmë 100% të nevojave tona nga energjia e rinovueshme, që e prodhojmë me burimet tona ujore, që Zoti na i ka dhuruar me bujari!
Ndërsa Rama bërtet poshtë e lart, si i marri i fshatit, për “çmime të çmendura të energjisë, që nuk gjendet”, apo se “jemi në luftë dhe lufta do sakrifica”, fakti është se fatkeqësia nuk është lufta dhe as mungesa e energjisë, por ai vetë dhe qeveria e tij.
Çmimin e energjisë e kemi të lartë, dhe do ta kemi katërfish më të lartë, duke filluar që sot, jo sepse s`kemi mundësi, por sepse qeverisë nuk ia ndjen për konsumatorin, qytetarin, taksapaguesin.
Gëzuar 1 nëntorin, ditën kur qeveria ta rrit çmimin e energjisë elektrike me katërfish. Mos harro 12 nëntorin, kur protesta e madhe kombëtare na thërret për t’i thënë NDAL marrëzisë dhe rrezikut që i sjell Shqipërisë, personazhi që nuk ndreqet dhe që për pushtetin, çdo ditë, rrënon shtetin” tha ai.