Në datë 4 Dhjetor, PD do të zyrtarizojë emrin e kandidatit të opozitës përballë Erion Veliajt në sfidën për të fituar bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 Majit të vitit tjetër. Tre janë kandidaturat për “Primaret” deri tani; mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi dhe Gerti Bogdani. Një mjek dhe dy politikanë në garë mes tyre. Por cili ka qenë rrugëtimi i tyre në PD dhe funksionet që kanë mbajtur. “5pyetjet.al” sjell një profil të tyre.
Ilir Alimehmeti ka lindur në 13 shtator të 1979 në Tiranë, është mjek dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Ai është një emër i njohur për qytetarët, sidomos në dy vitet e fundit për shkak të daljeve të shpeshta në ekrane duke dhënë këshilla në përballimin e pandemisë.
Ai nuk ka një karrierë të mëparshme në Partinë Demokratike personalisht, por familja e tij po. Alimehmeti u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike më 30 prill 2022. Në përplasjen brenda Partisë Demokratike, ai zgjodhi të mbështesë Sali Berishën.
Belind Këlliçi, deputet i Partisë Demokratike ka lindur më 25 janar 1987 në Tiranë. Ai është rikthyer në Shqipëri në vitin 2009 pas studimeve për shkenca menaxhimi në SHBA. Për disa vite, gjatë qeverisjes së PD-së Belind Këlliçi mbajti pozicione me profil të ultë në administratën publike. Në 2015-ën ai u zgjodh kryetar i FRPD, që e drejtoi deri në fund të 2021-it.
I zgjedhur deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Belind Këlliçi ka qenë protagonist në disa kauza opozitare të Partisë Demokratike gjatë viteve të fundit si ajo kundër inceneratorëve, për mbrojtjen e teatrit kombëtar dhe kundër betonimit të kryeqytetit.
Gerti Bogdani ka lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë, ish-deputet i Partisë Demokratike. Ai ka studiuar në SHBA dhe u angazhua në Partinë Demokratike pas vitit 2005. Bogdani kandidoi dhe fitoi në zgjedhjet lokale të 2007 për kryetar të njësisë nr.10 në Tiranë. 2 vite më vonë mori drejtimin e FRPD-së deri në vitin 2015.
Për dy mandate radhazi, 2009-2017, Gerti Bogdani ka qenë deputet në qarkun e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ka mbajtur edhe disa poste drejtuese në Partinë Demokratike, si anëtar kryesie dhe sekretar për marrëdhëniet me jashtë. Në media disa muaj më parë u lakua për lidhje me pronarët e inceneratorëve, por që gjithmonë i është shmangur.