Shpallet në kërkim Presidenti i kompanisë “Zico sh.a” (Banaking) biznesmeni Trifon Murataj.
53-vjeçari është shpallur në kërkim pas arrestimit të administratorit të kompanisë së tij dhe dy punonjësve të skanerit në portin e Durrësit pas zbulimit të 33.5 kg kokainë që njërin prej kontejnerëve të tij me banane që ishin nisur nga Ekuadori.
Në kuadër të operacionit të koduar jo më kot “Again”, pasi kjo ishte hera e disatë që në arkat me banane të kësaj kompanie gjendej kokainë arrestimet e punonjësve u bënë mbrëmë.
Të arrestuarit:
Petrit Demishaj 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”;
Alban Naziraj 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsfikimi kompjuterik”;
Artur Sevdaraj 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Trifon Murataj 53 vjeç, banues në Tiranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane.
Policia deklaron se arrestimi i 3 personave dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxori të pastër ngarkesën me banane.
“Nga hetimet dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit” deklaron policia.