Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u zotua të shtunën se do t’u “përdredhë krahun” forcave të ekstremit të djathtë që përpiqen të çmontojnë rendin ndërkombëtar, duke mbledhur udhëheqës botërorë dhe aktivistë me prirje të majta në një samit të cilësuar si një shfaqje rezistence nga fuqitë progresive.
Duke folur në konferencën Global Progressive Mobilization në Barcelonë, udhëheqësi spanjoll e përshkroi ngjarjen si një kundërshtim të koordinuar ndërkombëtar kundër asaj që ai e përshkroi si një lëvizje të globalizuar të ekstremit të djathtë.
Sánchez drejtoi gishtin në veçanti te tarifat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe lufta në Lindjen e Mesme për shkak se çuan në një erozion të gjerë të institucioneve shumëpalëshe, një zhvillim ndaj të cilit ai tha se e majta globale duhet të reagojë.
«Do t’ua shtrëngojmë krahun njerëzve që mendojnë se janë plotësisht të paprekshëm», i tha Sánchez turmës. «Miliarderët me lakmi të pakufizuar. Ata që spekulojnë me shtëpitë e njerëzve», tha ai.
Ai veçoi oligarkët “që duan të pasurohen duke përdorur demokracinë tonë dhe shëndetin mendor të të rinjve tanë”.
«Kur ne progresistët arrijmë në qeveri, nuk e bëjmë për t’u shërbyer elitave ne i vendosim ato në vendin e tyre», tha Sánchez.
Ai tha se e djathta ekstreme po “organizohej ndërkombëtarisht”, por këmbënguli se numri i tyre tregonte dobësi më shumë sesa forcë. “Ata bërtasin jo sepse po fitojnë, por sepse e dinë se koha e tyre po mbaron”, tha ai.
Rreth 6,000 zyrtarë të zgjedhur me prirje të majta, analistë politikash dhe aktivistë morën pjesë në eventin në Barcelonë. Organizatorët thanë se tubimi do të përfundonte me një deklaratë të përbashkët që përshkruante veprime të koordinuara mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë pabarazinë, klimën dhe rregullimin dixhital.
Tubimi tërhoqi një numër jashtëzakonisht të madh krerësh shtetesh dhe qeverish, përfshirë presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, atë të Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe presidentin kolumbian Gustavo Petro./ Politico









