Presidenti serb, Alksandar Vuçiç i ka dhënë mbështetje të parezervë ish-komandantit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq i cili u shkarkua pasi që refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.
Gjuriq ka zbuluar sot se e ka pranuar një mesazh mbështetës nga Vuçiç, raporton Kurir.
“Dua ta falënderoj secilin që më mbështet mua, familjen, kolegët e miqtë, shtetin tim Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiç. Kjo më jep forcë që ta duroj të gjithën”, ka thënë ai para mediave.
Sipas medias serbe Kurir, mësohet se Vuçiq e ka thirrur sot Gjuriqin për ta inkurajuar dhe për ta mbështetur, duke i dhënë mesazhin që Serbia është me të.
“Çdo qytetar i ndershëm serb është krenar me ty sot dhe shteti serb do të jetë me ty. Të jesh i sigurt që nuk je vetëm”, raportohet t’i ketë thënë Vuçiq Gjuriqit.
Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, i suspenduar për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, Nenad Gjuriq, kishte një histori të gjatë të suspendimeve nga Policia e Kosovës.
Pas këtij shkarkimi, Gjuriq ka përfituar një banesë nga komuna ilegale e Mitrovicës së Veriut. Gjatë kësaj kohe ai ishte anëtarë aktiv i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS) të Vojisllav Koshtunica, kryetar i së cilës për Mitrovicën Veriore ishte Marko Jakshiq, i njohur për lidhjet dhe qëndrimet e tij pro-ruse.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës, Nenad Gjuriq ishte emëruar Komandant i Stacionit Policor të Zveçanit, ndërsa përsëri ishte suspenduar në vitin 2013 për mosveprim në urdhrin për largimin e Aleksandër Vulinit nga veriu i Kosovës, kur ky i fundit po qëndronte pa leje të organeve kompetente të Republikës së Kosovës.