Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Beogradi do destabilizimin e Kosovës”, kur është pyetur për situatën në Veri dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, teksa ka potencuar se Kosova është në një pozitë shumë më të favorshme, “e kjo po e bën Beogradin më nervoz”.
“Ftojë qytetarët serbë të vendit tonë të mos i braktisin institucionet e Kosovës, të mos japin dorëheqje, të mos i lëshojnë vendet e punës, pasi në këtë mënyrë dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata s’kanë presion nga ne, por thirrje dashamirëse”, tha Kurti gjatë vizitës së tij në Prizren.
Ndërsa për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se “ish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit, po e vazhdon mendësinë e qëndrimin e ish-shefit të tij”.
Kur është pyetur për propozimin franko-gjerman, kryeqeveritari kosovar ka theksuar se duhet Bashkimi Evropian, si lehtësuese e dialogut të prononcohet për këtë gjë.
“Unë mund të them se dialogu me mua është parimor, i barabartë, simetrik e diskutohet raporti i Kosovës me Serbinë, e nuk bëhet Kosova temë, siç ka ndodhur në dhjetëvjetëshin e kaluar”.