Ambasada Ruse në Maqedoninë e Veriut ka shpërndarë në Twitter të dielën e 6 nëntorit një murale në Mitrovicën e Veriut e cila shkruan “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.
“Krimea është Rusi, plus Luhansk, Donetsk, Zaporozhye dhe Kherson”, ishte shkrimi i ambasadës në Twitter.
Publikimi nuk ka kaluar pa shkaktuar zhurmë në median sociale. Por, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar që e dënon këtë veprim në mesin e tensioneve në veri të Kosovës.
Kjo vjen pasi 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS, Republika e Kosovës.