Një burrit iranian i është ngritur akuzë për “luftim kundër Zotit”, vepër e dënueshme me vdekje, pasi akuzohet se kishte vënë në zjarr një kosh plehrash, gjatë protestave në Teheran.
Agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, Mizan, raporton se, sipas një përfaqësuesi të Prokurorisë, më 7 nëntor, Sahand Nourmohammadzadeh e kishte shkaktuar një bllokadë në një autostradë në Teheran “duke i shembur rrethojat e autostradës dhe duke vënë në zjarr kosh plehrash dhe goma”.
Nourmohammadzadeh i ka mohuar këto akuza, duke thënë se një protestë ishte zhvilluar para dyerve të biznesit të tij në Teheran, ku i ishte vënë flaka koshit të plehrave. Por, ai tha se nuk ishte pjesëmarrës dhe nuk synonte të krijonte trazira.
Lajmi vjen pasi 227 ligjbërës nga gjithsej 290 në Parlamentin iranian kërkuan nga gjyqësori të miratohet dënimi me vdekje për disa protestues të arrestuar gjatë protestave në Iran.
Këto protesta janë nxitur nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në mes të shtatorit, e cila ishte arrestuar për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit. Ajo kishte vdekur dy ditë më vonë në paraburgim, me shenja të mavijosjes në fytyrë dhe trup./REL