Pas dorëheqjes së deputetëve të Listës Serb të hënën, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmami i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rekomandimet e emrave për zëvendësimin e tyre.
Ndërsa zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se KQZ do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej pesë ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës.
Sipas procedurave, deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me emrat e radhës në listën për deputetë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë dhe dhjetë vende të garantuara për komunitetin serb në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 i ka fituar Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Përveç deputetëve, edhe afër 600 zyrtarë policorë, por edhe gjyqtarë dhe prokurorë në veri kanë paraqitur dorëheqjen.
Përfaqësuesit serbë po kërkojnë që Qeveria të heqë dorë nga plani për targat dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Qeveria ka nisur zbatimin e planit prej tri fazash më 1 nëntor.
Fillimisht, shoferët me makina që kanë targa të lëshuara nga Serbia do të qortohen, më pas do t’iu shqiptohen gjoba prej 150 eurosh dhe faza e fundit parasheh përdorimin e targave provuese.
Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mund të qarkullojnë vetëm makina me targa të ligjshme RKS – Republika e Kosovës.